Kanceri i gjirit, i cili është lloji më i zakonshëm i kancerit që haset tek gratë si në vendin tonë dhe në pjesën tjetër të botës, haset në një nga çdo 8 gra. Ndërsa shkalla e incidencës së kancerit të gjirit është më e lartë për gratë mbi moshën 40 vjeç, sëmundja haset më shpesh në ato midis 50 dhe 59 vjeç. Profesorja Özlem Er, një mjeke onkologe pranë Spitalit Acıbadem Maslak, thotë se: “Shkalla e incidencës së kancerit të gjirit ka filluar të ulet në vendet e zhvilluara përmes zbulimit të hershëm të lezioneve pre-kanceroze, aplikimit të mastektomisë mbrojtëse dhe uljes së përdorimit të hormoneve. Sidoqoftë, shkalla ka qenë në rritje në vendet në të cilat është adoptuar stili i ushqyerjes perëndimore (që përfshin ushqime të përpunuara me yndyrë të lartë), ku neglizhohen aktivitetet fizike dhe ku përdorimi i hormoneve është i zakonshëm. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, niveli i përmendur ka tendencë të rritet gjithashtu edhe në vendin tonë”. Duke deklaruar gjithashtu se metodat e reja të trajtimit për kancerin e gjirit, i cili është ndër nga llojet e kancerit mbi të cilin kërkimi shkencor është më intensiv, kanë rritur shkallën e mbijetesës. Profesorja Özlem Er ndan me ne 4 zhvillimet e reja në këtë fushë, si dhe disa paralajmërime dhe rekomandime të rëndësishme brenda qëllimit të Muajit të Ndërgjegjësimit kundër Kancerit të Gjirit midis 1 dhe 31 Tetorit.
Për disa pacientë kimioterapia është një metodë trajtimi jetë shpëtuese. Duke thënë këtë, një nga zhvillimet më të rëndësishme në vitin 2018 ishte ulja e kërkesës për kimioterapi tek gratë me kancer të gjirit me receptor pozitiv. Një studim ndërkombëtar ka bërë të mundur që ato që mund të përfitojnë nga kimioterapia të diferencohen nga ato që nuk munden. Tashmë është e mundur që përmes analizës së gjeneve në indet e tumorit të përcaktohet grupi i pacienteve që mund të marrin terapi hormonale pa kimioterapi. Kjo ka bërë që të jetë e mundur një jetë e shëndetshme për një masë të madhe të pacienteve me kancer të gjirit me ER-pozitiv, HER2- negativ dhe madhësi të tumorit nga 1 deri në 5 cm pa metastaza në nyjet limfatike dhe një rrezik të ulët përsëritje. Trajtimi ndaj pacienteve të tilla ka dhënë sukses në një normë prej 93%.
Është e mundur që vetitë e tumorit të ndryshojnë në 30% të pacienteve tek të cilat përsëritet kanceri i gjirit. Në rastet kur qelizat e kancerit janë pozitive ndaj receptorëve të hormoneve, ilaçet e përdorura për terapi hormonale plotësohen me pilula, të cilat vonojnë formimin e një rezistence ndaj ilaçeve, të referuara si frenues të CDK4-6. Kjo ka rritur me dy herë kohën që i nevojitet sëmundjes që të avancojë në faza të përparuara.
Një opsion i ri trajtimi është zhvilluar për pacientet me mutacion të gjeneve BRCA 1-2, të cilat shfaqin predispozitë gjenetike ndaj kancerit të gjirit. Ilaçet e përfshira, të cilat më parë u vërtetuan të ishin efektive ndaj kancerit të vezoreve, u zbuluan se ishin efikase gjithashtu edhe në trajtimin e kancerit të gjirit. Pilulat, të cilat janë referuar si frenues të PARP, u mundësojnë specialistëve të marrin nën kontroll sëmundjen.
Shoqata e Onkologjisë Integruese (SIO) dhe Shoqata Amerikane e Onkologjisë Klinike (ASCO) kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët për përdorimin e teknikave mjekësore plotësuese për trajtimin e simptomave dhe efekteve anësore gjatë dhe pas trajtimit të kancerit të gjirit. Deklarata përfshinte teknika të rekomanduara plotësuese për trajtimin e çështjeve të tilla si ankthi, stresi, çrregullimet e humorit, rraskapitja, cilësia e ulët e jetesës, limfedema dhe çështjet e lidhura me kimioterapinë, si marrje mendsh, të vjellat, dhimbjet dhe problemet e gjumit. Terapia me muzikë, meditimi, menaxhimi i stresit dhe joga u panë gjithashtu se janë efektive në zvogëlimin e shqetësimeve dhe të stresit. Joga dhe meditimi u rekomanduan veçanërisht për rritjen e cilësisë së jetës ndërsa akupunktura u sugjerua për zvogëlimin e të përzierave dhe të vjellave për shkak të kimioterapisë. Nga ana tjetër, suplementët dietikë nuk u panë si të përshtatshëm për kontrollin e efekteve anësore që vijnë nga trajtimi i kancerit të gjirit.