7 FAKTE JO TË VËRTETA MBI KANCERIN E QAFËS SË MITRËS - Acıbadem Healthcare Services (AL)
7 FAKTE JO TË VËRTETA MBI KANCERIN E QAFËS SË MITRËS

7 FAKTE JO TË VËRTETA MBI KANCERIN E QAFËS SË MITRËS

Kanceri i qafës së mitrës është ndër llojet e kancerit gjinekologjik më të zakonshëm dhe incidenca e tij është duke u rritur vazhdimisht tek gratë në të gjithë botën. Çdo vit, përafërsisht 570 mijë gra nga mosha 35 deri 55 vjeç diagnostikohen me kancer të qafës së mitrës. Virusi i Papillomës Humane (HPV) është faktori më i rëndësishëm themelor i kësaj sëmundje, e cila përparon në mënyrë të fshehtë në fazat e hershme. Uterusi (mitra) është organi riprodhues femëror që ka formën e një dardhe. Ai është i pasur me ind muskulor dhe ka përmasa 8 – 9 cm. Vendtakimi ndërmjet mitrës dhe vagjinës quhet qafa e mitrës. Kanceri i qafës së mitrës, për fat të keq, nuk vihet re derisa ai përhapet në mënyrë të konsiderueshme dhe ndikon negativisht në funksionimin e organeve të tjerë, pasi nuk shfaq asnjë simptomë në fazën e hershme. Dr. Hüsnü Görgen, profesori i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës pranë Grupit për Kujdesin Shëndetësor Acıbadem, thekson se ka shumë fakte të rreme për sëmundjen që nuk shkakton asnjë ankesë në fazat e hershme. Ai rendit faktet jo të vërteta më të zakonshme në lidhje me sëmundjen dhe versionin e tyre të saktë.

E GABUAR: “Kanceri i qafës së mitrës është një sëmundje shumë e rrallë”

E SAKTË: Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i 4-t më i zakonshëm në të gjithë botën, pas kancerit të gjirit, kancerit kolorektal dhe kancerit të mushkërive. Kanceri i qafës së mitrës prek afërsisht 570 mijë njerëz në vit në shkallë globale dhe gjysma e tyre humbasin jetën. Në Turqi incidenca është 4.42 / 100 mijë gra, por ai është më i zakonshëm në vendet e pazhvilluara.

E GABUAR: “Kanceri i qafës së mitrës nuk mund të zbulohet herët dhe nuk është një sëmundje që mund të parandalohet”

E SAKTË: Kanceri i qafës së mitrës mund të diagnostikohen herët përmes kryerjes së ekzaminimeve dhe Pap Testit në intervale të rregullta; kështu, ai mund të parandalohet. Falë Pap Testit dhe testeve të HPV-së 90% e rasteve të kancerit të qafës së mitrës mund të zbulohen në fazën e hershme, madje edhe që në fazën paraprake të ndryshimeve qelizore. Zhvillimi i sëmundjes zgjat shumë vite, por mund të zbulohen transformimi i qelizave të qafës së mitrës për shkak të faktorëve të caktuar, siç është infeksioni i HPV-së, dhe anomalitë e tjera në këto qeliza. Pap Testi lejon identifikimin e ndryshimeve të tilla qelizore në qafën e mitrës. Prandaj, lezionet identifikohen lehtësisht përpara se të fillojë kanceri dhe mund të trajtohen para se të dëmtojnë pacienten. Është e nevojshme kryerja e një Pap Testi për kontrollimin e kancerit të qafës së mitrës një herë në 3 vjet pas moshës 21 vjeçare.

E GABUAR: “Të gjitha infeksionet me HPV shkaktojnë kancer”

E SAKTË: Viruset e Papillomës Humane që fillojnë të popullojnë zonën gjenitale klasifikohen në viruse me rrezikshmëri të lartë dhe viruse me rrezikshmëri të ulët, në varësi të rolit të tyre për të shkaktuar kancer. HPV-ja me rrezikshmëri të ulët zakonisht manifestohet nga lythat gjenitale. Tipat 16 dhe 18 të HPV-së janë llojet më të zakonshëm të HPV-së me rrezikshmëri të lartë. Disa nga ndryshimet qelizore të shkaktuara nga HPV-ja me rrezikshmëri të lartë mund të shndërrohen në kancer për 8 deri në 10 vjet.

E GABUAR: “Qelizat jonormale në një Pap Test nënkuptojnë kancer”

E SAKTË: Jo të gjitha testet anormale të identifikuara në një Pap Test nënkuptojnë kancer. Pacientet duhet të vlerësohen dhe të ndiqen për një transformim kanceroz të këtyre qelizave në të ardhmen.

E GABUAR: “Pap testi është një procedurë e dhimbshme”

E SAKTË: Dr. Hüsnü Görgen, Profesori i Gjinekologjisë dhe Obstetrikës pranë Grupit për Kujdesin Shëndetësor Acıbadem thekson se Pap Testi është një procedurë pa dhimbje, e cila përfshin përdorimin e një furçe për të mbledhur qelizat e qafës së mitrës në një ekzaminim gjinekologjik rutinë.

E GABUAR: “Kanceri i qafës së mitrës mund të parandalohet nëpërmjet imunizimit”

E SAKTË: Vaksina e HPV-së ka një rol shumë të rëndësishëm në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës. Qëllimi kryesor i vaksinës së HPV-së është parandalimi i kancerit të qafës së mitrës, por qëllimi dytësor është parandalimi i shfaqjes së lythave gjenitale. Vaksina e HPV-së mund të aplikohet nga mosha 9 deri në 26 vjeç dhe rekomandohet si për djemtë ashtu edhe për vajzat. Sidoqoftë, vaksina aplikohet kundër disa prej llojeve të HPV-së dhe për këtë arsye, ajo nuk i përfshin të gjitha llojet e HPV-së. Prandaj, testet e kontrollit me Pap Test duhet të kryhen edhe nëse aplikohet vaksina.

E GABUAR: “Pacientet me histori paraprake të një operacioni të mitrës gjithashtu duhet të vazhdojnë të kryejnë Pap Teste”

E SAKTË: Ndërsa Pap Testi është i panevojshëm për ato paciente që i janë nënshtruar histerektomisë për shkak të miomës ose gjakderdhjes, ai duhet të kryhet për ato paciente që i janë nënshtruan një operacioni për shkak të kancerit.

TRAJTIMI

TEKNOLOGJIA

ACIBADEM

×
Kërko