Përdorimi i Metodës TAVI ka filluar të bëhet më i zakonshëm në të gjithë botën si rezultat i zhvillimeve teknologjike dhe një qasjeje që i jep përparësi rehatisë së pacientit. Ajo bën të mundur që sëmundjet e valvulës së aortës të trajtohen pa nevojën për kirurgji të hapur.
Deri para disa vitesh, pacientët me kalçifikim të valvulës së aortës ose stenozë (ngushtim) mund të trajtoheshim vetëm përmes kirurgjisë së hapur. Ajo përfshinte heqjen e valvulës së aortës pas hapjes së kafazit të kraharorit, dhe vendosjen e një valvule të re në vend të saj. Pacientët përjetonin komplikacionet që lidhen me kirurgjinë për disa ditë dhe ndonjëherë për disa javë. Megjithatë, tashmë ka ardhur në qendër të vëmendjes një metodë më moderne trajtimi, e cila është quajtur TAVI (Transcatheter Aortic Valve Implantation).
Aorta arrihet përmes arteries që ndodhet në rrëzë të kofshës ose nga një tjetër enë gjaku në trup, pa kryer ndonjë prerje. Profesor Sinan Dağdelen, një kardiolog pranë spitalit Acıbadem Altunizade, thotë se kjo pasohet nga anulimi i valvulës së vjetër dhe implantimi i një valvule të re brenda saj.
Stenoza e valvulës së aortës, e cila zakonisht fillohet të haset në njerëz që janë në mesin e të 60-tave , është një ndër sëmundjet që përparojnë ngadalë. Është një sëmundje e fituar dhe ndodh në nivele serioze pas moshës 75 ose 80 vjeç, dhe përparon me shpejtësi me rritjen e moshës. Pacientët në fazat e hershme përjetojnë simptoma të tilla si marrje mendsh menjëherë pas ngritjes në këmbë, si dhe çështjet e balancimit që çojnë në tronditje ose madje shkojnë deri në atë masë që të shkaktojnë që pacientit t’i bjerë të fikët. Në rastet e stenozës së valvulës së aortës, meqenëse furnizimi me gjak në tru dhe organe të tjera zvogëlohet deri në sasi të vogla, pacientët priren të lodhen më shpejt dhe të fillojnë të përjetojnë marrje fryme dhe dhimbje gjoksi. Pacientët me këto ankesa që konsultohen me një specialist i nënshtrohen testeve të caktuara.
Pas procesit të diagnozës, opsioni i TAVI zgjidhet për të trajtuar pacientët me moshë të madhe, për të cilët operacioni i hapur është i rrezikshëm. Duke deklaruar se gjatë fazave fillestare metoda nuk ishte aq e përparuar teknikisht sa ishte e dëshiruar, Profesor Dağdelen nënvizon faktin se zhvillimet aktuale dhe rritja e përvojës së akumuluar në lidhje me procedurën kanë ulur rrezikun e vdekshmërisë dhe aftësisë së kufizuar në nivele shumë të ulëta: “Normat e rrezikut janë rreth 1 deri 2%. Për më tepër, rreziku i gjakderdhjes, paralizimit, infeksionit ose dëmtimit të mushkërive është shumë më i ulët në krahasim me kirurgjinë e hapur të zemrës. Periudha e kujdesit intensiv zgjat vetëm disa orë. Në qoftë se pacienti nuk ka ndonjë problem të veçantë të mushkërive, anemi ose sëmundje të veshkave, ai transferohet në një dhomë normale pas kujdesit intensiv. Në disa raste, është e mundur që pacienti të qëndrojë në njësinë e kujdesit intensiv për një natë. Përveç prioritetit të rehatisë së pacientit, metoda gjithashtu siguron që pacienti të ngrihet në këmbë, të shkojë në tualet dhe të ushqehet, të cilat janë aktivitete të një jete normale, vetëm brenda disa orëve pas operacionit. Pasi kalojnë dy ditë nën mbikëqyrje në spital, nëse nuk ka komplikime pacientët nxirren nga spitali.”
Shumë faktorë, siç janë mosha, prania e sëmundjeve shoqëruese dhe rreziku nga kirurgjia e hapur kërkojnë aplikimin e metodës TAVI. Ky ishte gjithashtu rasti edhe për 83-vjeçaren Leman Emine Bostancı, e cila u trajtua nga profesori Sinan Dağdelen nëpërmjet kësaj metode. Znj. Leman kishte një histori mjekësore që përfshinte një operacion by-passi dhe hipertension, si dhe shumë sëmundje të organeve të tjera, veçanërisht në veshkat dhe mushkëritë e saj. Gjithashtu ajo kishte kalçifikim të lidhur me moshën në valvulat e zemrës së saj. Profesor Dağdelen thotë, “Kjo paciente, e cila kishte bllokim në venat që furnizojnë zemrën me gjak, përveç sëmundjes së valvulës së zemrës, gjithashtu vuante nga stenoza së aortës. Ndërkohë që një operacion tjetër i zemrës ishte i nevojshëm për shkak të kalçifikimit, një operacion i tillë në këto kushte ishte shumë i rrezikshëm”. Ai shpjegon rastin e kësaj pacienteje si më poshtë: “ Znj. Leman u konsultua nga ne me simptomat e vështirësisë serioze në frymëmarrje, dobësi trupore, lodhje dhe paaftësi për të ruajtur funksionet vitale. Pas ekzaminimeve të caktuara, vendosëm të përdorim metodën TAVI. Operacioni, i cili u krye me ndërhyrje përmes arteries femorale, zgjati rreth 40 minuta. Ne shfrytëzuam të gjitha avantazhet e metodës dhe përfunduam trajtimin e pacientes tonë 83-vjeçare, e cila u nxor nga spitali pas 3 ditësh”.
Ndërsa metoda TAVI zbatohet nga kardiologët për shkak të grupit të sëmundjeve që lidhen me të, pas trajtimit ekziston një qasje shumë-disiplinore. Profesor Sinan Dağdelen vëren se para se të kryhet trajtimi, ata diskutojnë shumë faktorë që variojnë nga gjendja e zemrës dhe struktura vaskulare e pacientit, deri tek metoda e anestezisë që do të zgjidhet. Ata marrin vendime së bashku me shumë specialistë nga fusha të tilla si anestezia, radiologjia dhe kirurgjia kardiovaskulare.
Profesor Dağdelen ndan me në informacionin e mëposhtëm mbi metodën TAVI, e cila përdoret për të trajtuar sëmundjet e valvulave pa pasur nevojë për kirurgji të hapur: “Metoda mund të zbatohet në dy mënyra të ndryshme. Metoda trans-femorale përfshin hyrjen në arterien femorale, në mënyrë të ngjashme me një angiogram. Valvula, e cila futet në trup nëpërmjet arteries, vendoset brenda zemrës duke u pozicionuar brenda valvulës së aortës të vetë pacientit. Megjithatë, në disa pacientë është e mundur që arteriet femorale të jenë të bllokuara. Në raste të tilla, përdoret aplikimi trans-apikal. Ky aplikim gjithashtu nuk kërkon kirurgji dhe përfshin implantimin e valvulës së re përmes një ene gjaku në shpatull, qafë ose gjoks, pasi bëhet një prerjeje e vogël. Nëse pacienti është i përshtatshëm për t’iu nënshtruar TAVI përmes metodës transfemorale , metodë e cila kërkon që arteria femorale të mos jetë e bllokuar, zakonisht kjo metodë preferohet mbi metodën tjetër, pasi është më e volitshme dhe praktike”.