10 RREGULLAT E RËNDËSISHME PËR TË JETUAR SË BASHKU ME NJË PACIENT POZITIV ME COVID-19!
Në shtëpitë tona tashmë ka më shumë raste me koronavirus! Duke deklaruar se infeksioni Covid-19, i cili është përhapur gjithnjë e më shumë pothuajse çdo ditë në shkallë globale, po arrihet në një situatë ku pothuajse në çdo shtëpi ka një person të infektuar, Profesori i Sëmundjeve Infektive dhe Mikrobiologjisë Klinike Dr. Çağrı Büke, pranë Grupit për Kujdesin Shëndetësor Acıbadem thotë: “Duke marrë parasysh faktin se rreth 80% e pacientëve të diagnostikuar me Covid-19 përmes testit të PCR-së mund të marrin kujdesin shëndetësor në ambientet e shtëpisë, gjithmonë duhet të kujtohet se Covid-19 kryesisht transmetohet në mjedise të brendshme. Ky fakt na shtyn të rikonsiderojmë të jetuarit së bashku në të njëjtën shtëpi me një rast pozitiv me koronavirus”. Pra, cilat janë gjërat që nuk duhet të lihen pas dore për asnjë moment gjatë jetesës së bashku me një pacient pozitiv me koronavirus? Profesori i Sëmundjeve Infektive dhe Mikrobiologjisë Klinike Çağrı Büke na informon rreth 10 rregullave të arta dhe jep këshilla dhe paralajmërime të rëndësishme.
Një person me test pozitiv për Covid-19 duhet të jetojë në një dhomë të veçantë për disa kohë. Dera e dhomës duhet të jetë gjithmonë e mbyllur dhe pacienti duhet të ushqehet në këtë dhomë, të dedikuar për të për disa kohë, larg nga anëtarët e tjerë të familjes.
Askush nuk duhet të futet në dhomën e pacientit nëse nuk është me të vërtetë e nevojshme dhe pacienti nuk duhet të dalë nga dhoma, përveçse për arsye të detyrueshme. Nëse është e nevojshme që të hyni në dhomën e pacientit, duhet të vendosni një maskë të tillë që të mbulojë plotësisht hundën dhe gojën. Rregulli i mbajtjes së maskës nuk duhet të neglizhohet për asnjë moment dhe distancimi shoqëror nuk duhet të shpërfillet.
Nëse është e mundur, duhet të dedikohet një tualet i veçantë që pacienti të plotësojë nevojat e tualetit dhe të dushit. Nëse nuk është e mundur dhe anëtarët e tjerë të familjes duhet të përdorin të njëjtin tualet, atëherë tualeti, lavamani, legeni, çezmat, sipërfaqet dhe dyshemeja duhet të pastrohen me një mjet dezinfektues pas çdo përdorimi.
Rrobat, enët e ngrënies dhe sende të tjera, të tilla si gota uji, të përdorura nga pacienti me koronavirus nuk duhet të përdoren nga pjesëtarët e tjerë. Rrobat e tij / saj duhet të lahen veçmas në lavatriçe, ndërsa enët e ngrënies duhet të lahen në pjatalarëse ose me dorë nën ujë të rrjedhshëm duke përdorur detergjent.
Duart duhet të lahen me ujë dhe sapun për 20 sekonda menjëherë pasi të keni prekur ndonjë sipërfaqe në ambientet e përbashkëta, para dhe pas vaktit, pas tualetit, para dhe pas gatimit dhe pas kontaktit me objekte në ambientet e brendshme. Gjithashtu për higjienën e duarve mund të përdoren pastruesit e duarve.
Pacienti me koronavirus duhet të përdorë maskë, të tillë që të mbulojë plotësisht gojën dhe hundën, kur është e nevojshme të shkojë në tualet ose në dhoma të tjera.
Dorezat e dyerve, çelësat elektrike dhe sipërfaqet e tjera që mund të preken duhet të pastrohen me mjet dezinfektues dhe detergjent pas çdo kontakti.
Meqenëse peshqirët paraqesin rrezik të lartë të transmetimit, në rrethana normale nga secili anëtar i familjes duhet të përdoret një peshqir i veçantë. Sidomos nëse ka një pacient me koronavirus në shtëpi, peshqiri nuk duhet të jetë asnjëherë i përbashkët. Duhet të mbahet një peshqir i veçantë ose mund të përdoren peshqirët prej letre. Peshqirët prej letre dhe mbetjet e letrës higjienike duhet të mbahen në qese të veçanta dhe të hidhen pasi qesja të jetë mbyllur mirë.
Këllëfët e jastëkëve të një pacienti me koronavirus duhet të ndërrohen çdo ditë dhe të lahen në lavatriçe në minimumi 60 gradë Celsius. Çarçafët e shtratit duhet të ndërrohen një herë në tre ditë dhe të lahen në minimumi 60 gradë Celsius.
Dhoma e pacientit me koronavirus dhe të gjitha zonat e tjera të shtëpisë duhet të ajrosen për disa minuta çdo ditë. Gjithashtu, anëtarët e familjes që janë negativë për Covid-19 kurrë nuk duhet të lejojnë vizita për ti uruar “të shkuara” pacientit me koronavirus. Për shkak se vizitat paraqesin rrezik të lartë të përhapjes në ambientet e brendshme! Profesori i Sëmundjeve Infektive dhe Mikrobiologjisë Klinike Çağrı Büke shton “Masa të tilla duhet të mbahen për disa kohë edhe pasi rezultati i testit Covid-19 të bëhet negativ; nëse nuk është kryer asnjë testim, këto masa duhet të mbahen për 48 orë pasi simptomat të zhduken plotësisht ose afërsisht për 14 ditë pas shfaqjes së simptomave. Sidoqoftë, duhet të kihet parasysh se ky virus, ndonjëherë, mund të shpërhapet edhe pas një intervali më të gjatë.”