METODAT E REJA TË CILAT KONSIDEROHESHIN SI “TË PA MUNDURA” NË KIRURGJINË E TRANSPLANTIMIT TË VESHKAVE - Acıbadem Healthcare Services (AL)
METODAT E REJA TË CILAT KONSIDEROHESHIN SI “TË PA MUNDURA” NË KIRURGJINË E TRANSPLANTIMIT TË VESHKAVE

METODAT E REJA TË CILAT KONSIDEROHESHIN SI “TË PA MUNDURA” NË KIRURGJINË E TRANSPLANTIMIT TË VESHKAVE

Dështimi kronik i veshkave është gjithnjë e më i përhapur në të gjithë botën dhe zë vendin e gjashtë në shkaqet më të zakonshme të vdekjes së papritur. Në Simpoziumin e Acıbadem mbi Transplantimin e Organeve, u renditen përparimet më të fundit që mundësojnë atë që konsiderohej e pamundur në të kaluarën. Gjithashtu u theksua rëndësia e dhurimit të organeve.

Marrja e pamjaftueshme e lëngjeve, ngrënia e ushqimeve tepër të kripura, konsumimi i tepërt i proteinave, vetë-mjekimi, shtimi në peshë, pirja e duhanit dhe jeta sedentare dëmtojnë veshkat tona! Kohët e fundit, numri i pacientëve të cilëve u nevojitet transplantim i veshkave për shkak të dështimit kronik të tyre po rritet me shpejtësi në të gjithë botën. Kështu, shkencëtarët merren me transplantimin e organeve nga shumë aspekte dhe ndajnë përvojat e tyre me njëri-tjetrin. Grupi i Kujdesit Shëndetësor Acıbadem organizoi Simpoziumin për Transplantimin e Organeve, ku specialistët kryesorë në botë ishin të ftuar së bashku me shumë specialistë të tjerë. Në simpozium, për dy ditë u diskutua për transplantimin e organeve dhe u ndanë përparimet më të fundit. Duke deklaruar se trajtimi më efektiv i dështimit të organeve është transplantimi i tyre, Profesori i Urologjisë Dr. Bülent Oktay, i cili është drejtuesi i Qendrës së Transplantimit të Veshkave pranë Spitalit Acıbadem Bursa dhe moderator i simpoziumit të mbajtur në Universitetin Acıbadem, thotë se “Turqia po garon globalisht si në lidhje me shifrat ashtu edhe me rezultatet e suksesshme të transplantimit të organeve nga dhurues të gjallë. Vendi ynë është Kampion Botëror me një përvojë prej 3 mijë operacione në vit në transplantimet e veshkës nga dhurues të gjallë. Duke theksuar se vitin e kaluar në vendin tonë janë kryer përafërsisht 3500 operacione të transplantimit të veshkës, por numri i pacientëve që kërkojnë transplantim të veshkave është 10 herë më i lartë se këto shifra. Prof. Dr. Bülent Oktay, saktësoi që pacientët nuk kanë zgjidhje tjetër për të zgjatur mbijetesën përveç trajtimit me dializë, nëse një organ nuk mund të furnizohet përmes dhurimit, dhe në përputhje me rrethanat, transplantimi i organeve është një domosdoshmëri për trajtimin kurativ.

Ne mund të transplantojmë me sukses dy veshka të ndryshme tek një person!

Megjithëse shifrat e operacioneve të transplantimit të organeve nga dhurues jo të gjallë janë të ulëta në vendin tonë, si përparimet teknologjike ashtu edhe njohuritë dhe përvoja e mjekëve kanë bërë të mundshme shumë qasje të pamundura. Gjatë takimit, Prof. Bülent Oktay informoi pjesëmarrësit në lidhje me transplantimin e dyfishtë të veshkave që është një nga metodat më të reja: “Numri i pacientëve me transplantim të veshkave është i lartë, por dhurimi i organeve nga dhurues jo të gjallë është shumë i ulët në vendin tonë. Kështu, veshkat e dhuruara janë shumë të çmuara dhe secilën prej tyre e vlerësojmë me shumë kujdes. Për shembull, ne transplantojmë secilën nga dy veshkat me funksion të shëndetshëm të dhuruesit jo të gjallë në dy pacientë dhe i trajtojmë ato. Sidoqoftë, vetëm një veshkë e vetme mund të mos përmbushë funksionin e kërkuar, nëse dhuruesi jo i gjallë i veshkave është i moshuar. Konsiderohet se veshka mund të mos përmbushë siç duhet nevojën nëse transplantohet vetëm një veshkë, dhe për këtë arsye, veshka të tilla në përgjithësi nuk pranohen në të gjithë botën. Megjithatë, ne i përdorim ato; ne transplantojmë dy veshka tek i njëjti person. Ne e quajmë këtë procedurë “Veshkë e Dyfishtë”. Ne i transplantojmë këto veshka te pacientët që kërkojnë terapi dialize për t’i bërë ata përsëri të shëndetshëm.”

Mund ta heqim veshkën përmes vagjinës!

Prof. Ibrahim Berber, pedagog pranë Departamentit të Kirurgjisë së Përgjithshme, pranë Shkollës së Mjekësisë në Universitetin Acıbadem, u shpreh se ka përparime shumë të rëndësishme në teknikat kirurgjike, të pranishme gjithashtu edhe në vendin tonë. Shumica e procedurave të transplantimit janë kryer me metodë të mbyllur duke përdorur 3 deri në 4 vrima të vogla ose me fjalë të tjera, nuk bëhet asnjë prerje. Duke thënë se dhuruesit e veshkave mund të shpëtojnë jetën e të afërmve të tyre me operacione më të lehta në krahasim me të kaluarën, Prof. Ibrahim Berber thotë: “Tani, me këtë teknikë, ne mund ta heqim veshkën përmes vagjinës, dhe jo nëpërmjet murit të barkut. Kështu, nuk nevojitet prerje abdominale dhe dhuruesi mund të mobilizohet dhe të kthehet më shpejt në aktivitetet e jetës së përditshme. Ne marrim rezultate më të mira kozmetike. Gjithashtu, zvogëlohet nevoja për qetësues të dhimbjeve në periudhën pas operacionit.” Turqia është një nga vendet kryesore në fushën e transplantimit të organeve. Një veshkë nga një dhurues i gjallë ndihmon për të siguruar që organi i transplantuar të jetë me cilësi më të mirë, dhe për këtë arsye ka më shumë të ngjarë të zvogëlojë rrezikun e dështimit të transplantimit të veshkës. Prof. Ibrahim Berber thotë “Në kundërshtim nga vendet e zhvilluara, në vendin tonë operacionet e transplantimit të organeve nga dhurues jo të gjallë përbëjnë rreth 20% të të gjitha operacioneve transplantuese; ndërsa operacionet e transplantimit nga dhurues të gjallë janë rreth 80 % e tyre. Qëllimi ynë është të promovojmë dhurimin e organeve si nga dhurues të gjallë ashtu edhe nga dhurues jo të gjallë.”

Transplantimi i veshkave është i pakrahasueshëm me terapinë e dializës

Prof. Ülkem Çakır, drejtuese e Departamentit të Nefrologjisë, pranë Shkollës së Mjekësisë në Universitetin Acıbadem, theksoi se transplantimi i veshkave saktësisht siguron mbijetesë më të gjatë dhe cilësi më të lartë të jetës, por në vendin tonë, paragjykimi kulturor kundër dhurimit të organeve paraqet pengesën më të rëndësishme për transplantimin e organeve. Duke theksuar se si dhuruesi ashtu edhe marrësi duhet të vlerësohen plotësisht në periudhën para transplantimit, Prof. Ülkem Çakır thotë se “Kirurgët e transplantimit të organeve kryejnë operacione shumë të goditura, por pacientët duhet të ndiqen shumë rregullisht nga nefrologët për ta ruajtur këtë mrekulli. Duhet të kontrollohen medikamentet dhe gjendja shëndetësore e përgjithshme. Menaxhimi nuk përfundon me operacionin e transplantimit; është e nevojshme që pacientët të ndiqen shumë rregullisht.”

TRAJTIMI

TEKNOLOGJIA

ACIBADEM

×
Kërko