MOS E NËNVLERËSONI DHIMBJEN E BARKUT! - Acıbadem Healthcare Services (AL)
MOS E NËNVLERËSONI DHIMBJEN E BARKUT!

MOS E NËNVLERËSONI DHIMBJEN E BARKUT!

Ndjesi shtypje, fryrje dhe dhimbje në bark… Këto simptoma, që shumica e femrave herë pas here i përjetojnë dhe i nënvlerësojnë, mund të jenë sinjal i një rreziku të madh. Kjo për shkak se kanceri i vezores përparon në mënyrë të fshehtë dhe manifestohet me këto simptoma zakonisht në fazën e tretë. Arma më e fortë në luftën kundër kancerit të vezores, i cili është më fatali ndër llojet e kancerit gjinekologjik, është ekzaminimi i rregullt gjinekologjik. Duke deklaruar se ky kancer mund të diagnostikohet ndërsa është në fazën e hershme me ekzaminim të rregullt vjetor, Profesori i Gjinekologji-Obstetrikës dhe Onkologjisë Gjinekologjike, pranë Spitali Acıbadem Maslak, Dr. Mete Güngör, nënvizon faktin se analizimi i rrezikut për gratë që gjenetikisht janë në rrezik do të jetë një masë paraprake për shpëtimin e jetës.

Sipas të dhënave të Departamentit të Kancerit pranë Ministrisë së Shëndetësisë, kanceri i vezores, që në Turqi shfaqet në 6 nga 100 mijë femra, është kanceri i shtatë më i zakonshëm për femrat.

Kanceri i vezores që zakonisht diagnostikohet në fazë të avancuar mund të diagnostikohet vetëm me ekzaminime të rregullta gjinekologjike.

Në SH.B.A., afërsisht 14 000 gra vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Duke deklaruar se kjo sëmundje mund të përhapet nga vezoret në tërë barkun, dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm tek pacientet në periudhën e pas menopauzës, por në të gjitha grup moshat, ai tërheq vëmendjen për rëndësinë e ekzaminimeve të rregullta gjinekologjike.

Nuk është një sëmundje vetëm e periudhës pas menopauzës

Vezoret – një organ riprodhues tek femrat – janë përgjegjëse për sekretimin e hormoneve femërore, përkatësisht prodhimin e estrogjenit dhe progesteronit, si dhe prodhimin e vezëve. Kanceri i vezores është një lloj kanceri i fshehtë dhe fatal, i cili fillon zakonisht në periudhën pas menopauzës, por nuk kufizohet vetëm në këtë diapazon. Të gjitha kistet dhe masat ovariane duhet të vlerësohen plotësisht për të diagnostikuar këtë sëmundje, e cila mund të shfaqet si tek femrat në moshën riprodhuese ashtu dhe tek vajzat e reja.

Kushtoi vëmendje këtyre simptomave!

Kanceri i vezores që përparon në mënyrë të fshehtë mund të diagnostikohet vetëm nëpërmjet ndjekjes së rregullt të incidenteve negative që mund të ndodhin në vezore. Simptomat e zakonshme të kësaj sëmundje janë si më poshtë:

  • Ndjesia e shtypjes dhe fryrjes në bark
  • Ndjesia e ngopjes ose dhimbja në ijë
  • Keq-tretje, gazra ose përzierje stomaku për një kohë të gjatë
  • Ndryshimet në funksionimin e zakonshëm të zorrëve, si kapsllëku
  • Ndryshimet në funksionimin e zakonshëm të fshikëzës së urinës, si urinimi i shpeshtë
  • Humbja e oreksit ose ndjesia e shpejtë e ngopjes
  • Gjakderdhje vagjinale
  • Humbje në peshë

Pacientet rekomandohen që të vizitojnë mjekun e tyre së bashku me ekzaminimet rutinë, veçanërisht nëse vihet re një kombinim i këtyre simptomave.

Ekzaminimet rutinë janë shumë të rëndësishme për sa i përket fazës së hershme

Nuk ka asnjë metodë diagnostikimi dhe vlerësimi që të jetë në gjendje të zbulojë kancerin e vezoreve në fazën e hershme. “Pacientet zakonisht ankohen për fryrje dhe dhimbje në bark, për probleme urinare dhe për ndryshimet në funksionimin e zakonshëm të zorrëve, por ato humbasin kohën duke u vizituar tek mjekë të disiplinave të tjera mjekësore në vend që të këshillohen me një gjinekolog dhe obstetër”, thotë Prof. Dr. Mete Güngör. Ai gjithashtu shton që diagnoza mund të vendoset ose në një fazë të hershme, pra në ekzaminimet gjinekologjike rutinë, ose shpesh në faza të përparuara, kur sëmundja bëhet e vështirë për t’u trajtuar.

Kush është në rrezik?

Çrregullimet e trashëguara përbëjnë afërsisht 10-15% të rasteve, ndërkohë që shkaku i saktë nuk dihet në pjesën tjetër 85-90% të rasteve. Sidoqoftë, kanceri i vezores ka më shumë të ngjarë të shfaqet kur plotësohen disa kushte në femra të caktuara. Për shembull, pacientet me një histori riprodhuese me numër të pakët lindjesh ose pa lindje, ato me fillim të menstruacioneve në moshë të hershme, ato me menopauzë të vonë, ato me infertilitet ose që trajtohen për infertilitet dhe ato që përdorin pudrën pluhur në organet gjenitale janë në rrezik më të lartë për kancerin e vezores.

Pilulat kontraceptive luajnë një rol mbrojtës

Sëmundja është më pak e zakonshme në pacientet me një histori të përdorimit të zgjatur të pilulave kontraceptive, të shtatzënive të shumta dhe ato që kanë kryer lidhje ose heqje të tubave të vezoreve. Sëmundjet e trashëguara që transmetohen përmes gjeneratave përbëjnë rreth 10-15% të rasteve. Më të njohurat nga këto çrregullime janë mutacionet e gjeneve BRCA 1 dhe BRCA 2. Rreziku i kancerit të vezores tek pacientet me këto mutacione gjenesh mund të rritet deri në 20-40 %. Prandaj, analiza e mutacioneve në gjenet BRCA 1 dhe BRCA 2 konsiderohet të kryet për femrat që kanë dy ose më shumë anëtarë të familjes me kancer të gjirit dhe të vezores. Pilulat kontraceptive ulin rrezikun e kancerit të vezores. Shumë studime raportojnë se incidenca e sëmundjes zvogëlohet me 30 % në femrat që përdorin pilula kontraceptive deri në një vit, dhe me 70 % në femrat që përdorin pilula kontraceptive për më shumë se 5 vjet. Në mënyrë të ngjashme, incidenca e kancerit të vezores zvogëlohet në gratë me histori obstetrikale të shtatzënive të shumta.

Nëse vërehet kist ose lezion në vezore:

Është shumë kritike që kanceri i vezores të diagnostikohet në fazën e hershme, pasi shkalla e suksesit të trajtimit është rreth 90-100% kur ai kufizohet në vezore dhe mbijetesa pesëvjeçare zvogëlohet në 40 deri 50 % në fazën e avancuar. Duke deklaruar se operacioni është trajtimi i linjës së parë të kancerit të vezores, Profesori i Gjinekologji-​​Obstetrikës dhe Onkologjisë Gjinekologjike Dr. Mete Güngör, thekson se kimioterapia është gjithashtu një mundësi para ose pas operacionit në varësi të rrjedhës së sëmundjes. Nëse sëmundja diagnostikohet në fazë të avancuar, të gjitha organet gjinekologjike, nyjet limfatike regjionale dhe të gjitha organet e përfshira nga tumori hiqen në mënyrë të tillë që të mos mbetet asnjë mbetje e tumorit dhe pas operacionit pacientet fillojnë kimioterapinë për të shkatërruar qelizat e tumorit në nivelin mikroskopik. Kirurgjia robotike ose laparoskopike përdoret për pacientet, në të cilat sëmundja diagnostikohet në fazën e hershme. Meqenëse sëmundja mund të përsëritet në pacientet që kanë qenë ose janë mbajtur në trajtim, ato këshillohen që të ndiqen rregullisht për 5 vjet pas operacionit.

TRAJTIMI

TEKNOLOGJIA

ACIBADEM

×
Kërko