Njohuri nga një ekspert i IVF-së i cili nuk thotë kurrë “e pamundur”
Imagjinoni një të ardhme ku sistemi riprodhues i njeriut të mund të ri-ndizet nga qelizat burimore dhe trajtimi i infertilitetit të ndihmohet nga inteligjenca artificiale për të siguruar shtatzëni të suksesshme për çiftet të cilat nuk arrijnë ngjizjen në mënyrë të natyrshme. Këto skenarë fantastiko-shkencorë janë tashmë duke u realizuar në disa nga qendrat më të mira të riprodhimit në të gjithë botën, thotë profesor Dr. Ercan Bastu, specialist i infertilitetit pranë Spitalit Acıbadem Fulya në Stamboll, Turqi. Në botën moderne, ku familjet kanë tendencën të shtyjnë bërjen e fëmijëve deri në përmbushjen e qëllimeve të tyre të karrierës ose të qëllimeve të tyre personale, po zhvillohen zgjidhje mjekësore për të përmbushur nevojat e këtij ndryshimi.
Problemet e fertilitetit prekin mesatarisht 10-15% të të gjitha çifteve. Rekomandohet të konsultoheni me një mjek nëse jeni duke u përpjekur rregullisht për të pasur një fëmijë prej të paktën një viti, në rast se gruaja është nën moshën 35 vjeç. Nëse femra është mbi 35 vjeç, atëherë 6 muaj përpjekje janë të mjaftueshme përpara se të konsultoheni me një specialist për disa teste dhe vlerësime.
Kohët e fundit, pacientet mbi 40 vjeç janë grupi më i përhapur i kandidateve për fekondim invitro (IVF). Prof. Ercan Bastu shpjegon: “Për shembull, muajin e kaluar gjysma e pacienteve të mija ishin mbi 40 vjeç. Shumë femra e shtyjnë shtatzëninë dhe kjo është arsyeja pse ato nuk kanë fëmijë. Padyshim është më e vështirë për ato që të kenë sukses sepse gjetja e oociteve të mira në cilësi dhe numër nuk është aq e lehtë krahasuar me një moshë më të re.”
Në mjedisin tonë të ndryshueshëm, specialistët më të mirë të riprodhimit të asistuar po përshtaten me realitetin e ri, duke eksploruar mundësi të reja trajtimi. Teknologjia na vjen në ndihmë me pajisjet moderne, siç është embrioskopi që lejon gjurmimin e zhvillimit dhe cilësisë së embrioneve. Testet gjenetike (PGD) na lejojnë të bëjmë vlerësimin gjenetik të embrioneve dhe të identifikojnë çdo anomali që mund të pengonte një shtatzëni të suksesshme.
Ekziston një mundësi e re trajtimi edhe për meshkujt që nuk kanë qeliza të pjekura të spermës – një sëmundje e quajtur azospermia, e cila më parë shoqërohej me pak ose aspak shanse për sukses në trajtimin me IVF. Një teknikë e përparuar e quajtur ROSI ndihmon në aktivizimin e qelizave të spermës me stimulim elektrik, shpjegon Prof. Bastu, i cili është ndër të parët që ka aplikuar metodën e re në Acıbadem. “Për femrat të cilat nuk kanë rezerva të mjaftueshme për trajtim në vezoreve, ne mund të përdorim disa mënyra të reja trajtimi për të marrë oocitet me cilësi të mirë, si plazma e pasur me trombocite (PRP) ose qelizat burimore. Aktualisht jemi duke punuar për marrjen e aprovimit nga Ministria e Shëndetësisë për qelizat burimore”, shton eksperti i fertilitetit.
“Riprodhimi i asistuar i suksesshëm kërkon një kuptim të mirë të problemeve shëndetësore që pengojnë shtatzëninë. Kjo është arsyeja pse një qasje gjithëpërfshirëse është thelbësore”, – thotë Prof. Ercan Bastu. Karriera e tij përfshin një master-klasë në embrionologjinë klinike pranë Universitetit Leeds në Mbretërinë e Bashkuar, master-klasë të përparuar në endoskopi pranë Universitetit Surrey në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe disa hulumtime shkencore pranë Universitetit Harvard në Sh.B.A.
Arsyeja e dështimeve të IVF-së nuk mund të përcaktohet në të gjitha rastet, por testet shtesë dhe ndryshimi i llojit të trajtimit mund të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve. Endometrioza, tubat e bllokuar të fallopit, miomat dhe anomalitë e mitrës që duhet të korrigjohen me histeroskopi janë disa shembuj të problemeve shëndetësore që kanë nevojë për një operacion të mirë. Me trajtimin e duhur, këto paciente mund të jenë në gjendje të ngelin shtatzënë në mënyrë të natyrshme, pa riprodhim të asistuar. Në ditët e sotme, teknikat laparoskopike dhe operacionet e asistuara nga robotët i bëjnë operacionet më të sigurta se kurrë më parë.
Cilësia e shërbimit dhe rehatia e pacienteve janë parakushtet kryesore për një trajtim të suksesshëm me IVF, thotë Prof. Ercan Bastu. “Ne kemi cilësi të mirë, kjo është gjëja kryesore. Ne jemi një klinikë bashkëkohore dhe kemi bërë shumë hulumtime në lidhje me infertilitetin. Ne zakonisht kemi teknologjinë më të fundit në laboratorin tonë dhe zhvillimet më të fundit në mjekësi; ne mund t’i blejmë dhe mund t’i përdorim ato. Çdo gjë që është e re në Evropë ose SHBA ne e kemi dhe mundemi ta përdorim. Shkalla jonë e suksesit është e ngjashme dhe mbase edhe më e lartë krahasuar me vendet e tjera. Kjo është arsyeja pse pacientët zakonisht janë të kënaqur me trajtimin e tyre”.
Ajo që i bën pacientët të kënaqur është që pyetjeve të tyre i përgjigjemi deri në detaje dhe ata ndjehen rehat, edhe pse gjatë trajtimit janë larg shtëpisë. Në Acıbadem, udhëtimi i tyre fillon me një bisedë të hollësishme – në anglisht ose në një gjuhë tjetër amtare për çiftin, të ndihmuar nga një përkthyes me përvojë. Më pas, kryhet një ekografi, vlerësohen rezultatet e testeve dhe pacientëve u prezantohet dhe u shpjegohet plani i trajtim. Gjatë trajtimit, çiftet mund t’ia bëjnë pyetjet e tyre direkt mjekut, i cili, për rehatinë e pacientëve, zakonisht ndan me ta numrin e tij të telefonit.
Prof. Ercan Bastu ka me qindra histori të lumtura në karrierën e tij, por një prej tyre ai e kujton më qartë – ai thotë se kjo histori ndryshoi qasjen e tij ndaj pacientëve një herë e përgjithmonë.
“Ata erdhën tek unë aq të trishtuar, gati duke qarë dhe më thanë që donin një fëmijë. Gruaja ishte 46 vjeç, kështu që unë u thashë: Unë nuk mund të bëj një procedurë IVF-je për ju, është pothuajse e pamundur, mos harxhoni kohën dhe paratë. Atëherë gruaja më tha që ata kishin pasur një djalë, 19 vjeç, dhe e kishin humbur 2 muaj më parë. Ai gjithmonë kishte dashur një vëlla ose motër dhe ata donin ta provonin, edhe nëse nuk kishte ndonjë shans. Unë u thashë: Në rregull, nëse i kuptoni shanset tuaja, le ta provojmë. Gruaja kishte vetëm një oocit dhe ne e morëm atë. Në të njëjtën ditë burri duhej të jepte spermë, por ai nuk mund ta bënte sepse pas vdekjes së djalit të tij, ai kishte filluar të konsumonte alkool. Na u desh që ta ngrinim oocitin. Gruaja erdhi përsëri 2 muaj më vonë dhe më tha se donte ta provonte përsëri. Ne morëm 2 oocite por këtë herë cilësia e tyre ishte jo mirë. Dy muaj më vonë, kur tashmë ishte 47 vjeç, ajo erdhi përsëri. Ajo insistoi ta provonim përsëri dhe ne u përpoqëm. Këtë herë kishim 2 oocite dhe unë mora edhe atë që kishim ngrirë herën e parë. Kësaj here burri arriti të jepte spermë. Kishim një embrion me një cilësi mesatare. Unë bëra transferimin dhe ajo ngeli shtatzënë. Dy muaj më parë ajo lindi një djalë. Dhe shihni foton sipër tryezës time – nuk kam foto të pacientëve. Kam vetëm një foto – dhe është e tij. Kjo është e pabesueshme, fëmija im! Tani unë nuk them kurrë “e pamundur”: nëse ata thonë se duan të provojnë, unë vetëm filloj të provoj. Një është një, por përsëri mund të ndihmojë ”.