Teknologjia që transformoi trajtimin e kancerit: CyberKnife - Acıbadem Healthcare Services (AL)
Teknologjia që transformoi trajtimin e kancerit: CyberKnife

Teknologjia që transformoi trajtimin e kancerit: CyberKnife

Lejon trajtimin e tumoreve që nuk mund të operohen ose të tumoreve që kërkojnë një operacion kompleks

Ne kemi dëgjuar të gjithë për të, por vetëm pak e dinë se çfarë është apo si funksionon. Pavarësisht nga emri i saj, pajisja nuk bën prerje. CyberKnife bëri të mundur që radio-kirurgjia të përdoret në tumoret që janë konsideruar si të paoperueshme nga kirurgjia klasike. Prof. Dr. Enis Özyar nga spitali Acıbadem Maslak shpjegon tiparet dhe përparësitë e kësaj pajisjeje.

Çfarë është CyberKnife?

CyberKnife është një sistem i radio-kirurgjisë robotike, i projektuar për të trajtuar kancerin kudo në trup. Në thelb CyberKnife është një përshpejtues i avancuar linear i cili vendoset në një robot të përdorur në industri. Me ndihmën e këtij sistemi rrezatimi dërgohet në mënyrë të përqendruar dhe indet e kancerit mund të trajtohen me doza të larta, ndërsa indet normale mbrohen në një masë më të madhe nga efektet e rrezatimit. Me teknologjinë robotike të kontrolluar nga kompjuteri, ky aparat trajtimi rrotullohet rreth pacientit, pothuajse duke vallëzuar, dhe kryen trajtimin duke siguruar rrezatim nga qindra kënde të ndryshme.

Cilat lloje të kancerit mund të trajtohen?

CyberKnife përdoret si për tumoret malinje dhe për ato beninje kudo në trup dhe në tru.

Trajtimi me Cyberknife mund të përdoret për të gjitha lezionet e zonës së trurit dhe të kokës, pa asnjë kufizim nga madhësia dhe vendndodhja e tyre. Gjithashtu mund të përdoret edhe për tumoret e vendosura pranë organeve vitale të cilat mund të dëmtohen. CyberKnife përdoret gjithashtu në trajtimin e metastazave, të keq formimeve arterio-venoze dhe në disa sëmundje funksionale.

Përveç kësaj, mund të përdoret në rastet e kancerit të mushkërisë, kancerit të prostatës, kancerit të kokës dhe të qafës, tumorit të vertebrave, kancerit të pankreasit dhe metastazave të cilat nuk mund të trajtohen me metoda të tjera dhe të cilat janë të pakta në numër.

Është përdorur në disa tumore për të cilat trajtimi nuk ishte i mundur në të kaluarën ose trajtimi ishte i mundur vetëm nëpërmjet kirurgjisë dëmtuese; për shembull në pacientët që kanë tumore në zonën e syve të cilat përmbajnë rrezikun e humbjes së syrit, ose sëmundjeve të shtyllës kurrizore të cilat janë tepër të ndjeshme ndaj rrezatimit. Për këto lloje të tumoreve, Radioterapia me CyberKnife kryhet në mënyrë të sigurt, pa e dëmtuar pacientin.

CyberKnife gjithashtu mund të aplikohet edhe në rastet e tumoreve të përsëritura në zonat që tashmë janë rrezatuar.

Cilat janë avantazhet e trajtimit me Cyberknife?

Cyberknife përdoret si një alternativë ndaj kirurgjisë dhe pavarësisht nga emri nuk kërkon prerje. Falë CyberKnife-it mund të trajtohen me saktësi milimetrike lezione të pa operueshme, të vogla dhe të vështira për t’u arritur, duke minimizuar dëmtimet në indet e shëndetshme. Trajtimi kryhet në një seancë të vetme ose zgjat deri në 5 seanca trajtimi në varësi të pacientit.

Tumori dhe lëvizjet e pacientit ndiqen në të njëjtën kohë me ndihmën e teknologjisë robotike të kontrolluar nga kompjuteri dhe sistemi i udhëzuar prej imazhit. Kështu mund të përcaktohen ndryshimet momentale gjatë trajtimit dhe mund të korrigjohen menjëherë. Mund të kryhet njëkohësisht trajtim për tumore të shumëfishta.

Trajtimi është pa dhimbje. Kështu që nuk nevojitet anestezi.

Si aplikohet trajtimi?

Trajtimi me CyberKnife fillon pas vendosjes së një maske plastike mbi fytyrën e pacientit. Gjatë trajtimit, pacienti qëndron në një tavolinë e cila kontrollohet nga një robot dhe që mund të lëvizë në 6 dimensione. Përdoret një sistem i kapjes së imazhit, i cili përcakton vendndodhjen e tumorit dhe ndjek lëvizjet e tumorit në mënyrë që të ndryshojë pozicionin e pacientit kur është e nevojshme. Me ndihmën e këtij sistemi mund të trajtohen tumoret në mushkëri dhe mëlçi të cilat ndryshojnë vendndodhjen e tyre për shkak të frymëmarrjes. Gjatë këtij trajtimi pacientëve nuk u kërkohet të mbajnë frymën ose të marrin frymë në mënyrë të qëndrueshme. Pajisja robotike e kontrolluar me kompjuter rrotullohet rreth pacientit dhe kryen trajtimin nga qindra kënde të ndryshme, me një shkallë saktësie deri në 0.95mm.

Cilët specialistë aplikojnë trajtimin me CyberKnife?

Në spitalet Acıbadem, trajtimi me CyberKnife kryhet nga një ekip i përbërë nga specialistët e mëposhtëm: specialistë për radioterapi onkologjike; specialist të fizikës mjekësore përgjegjës për cilësinë e trajtimit të kryer; teknikët e radioterapisë që përdorin pajisjet e trajtimit; mjekët dhe infermierët; sekretariati dhe ekipet mbështetëse të cilët sigurojnë shërbime për të gjitha llojet e nevojave dhe pyetjeve të pacientit.

TRAJTIMI

TEKNOLOGJIA

ACIBADEM

×
Kërko