CyberKnife është një teknologji e avancuar e përdorur për radio kirurgji jo-invazive dhe pa dhembje që ofron saktësi nën një milimetër në trajtimin e kancerit në të gjithë trupin.
Në thelb, CyberKnife është një përshpejtues i avancuar linear (LINAC) i krijuar për trajtimin e kancerit. Është në gjendje të trajtojë tumoret kanceroze dhe jo kanceroze dhe disa sëmundje të tjera, ku terapia me rrezatim është e përshtatshme. CyberKnife përbëhet nga një përshpejtues linear me peshë 140 kg që prodhon 6 rreze x MV, i pozicionuar në një robot industrial me 6 nyje, dhe një shtrat robotik për pacientët, i cili mund të lëvizë në 6 drejtime. Duke përdorur teknologjinë robotike të kontrolluar nëpërmjet kompjuterit, pajisja e trajtimit rrotullohet rreth pacientit sikur po kërcen, dhe aplikon rrezatim nga qindra kënde. Roboti ka një ndjeshmëri prej 0.2 mm. Me këtë sistem, zonat kanceroze në tru dhe në të gjithë trupin mund të trajtohen me doza të larta rrezatimi. Indet normale ruhen nga efektet e rrezatimit në nivele maksimale.
CyberKnife aplikohet duke vendosur mbi pacientin një maskë plastike ose një imobilizues trupi pa ndonjë procedurë kirurgjikale. Gjatë trajtimit, pacienti vendoset në një shtrat të kontrolluar nga roboti që mund të kryejë lëvizje 6-dimensionale. Sistemi i kapjes së imazhit gjurmon vendndodhjen e tumorit dhe monitoron lëvizjet e pacientit për të ndryshuar pozicionin, nëse është e nevojshme. Ajo ndihmon në trajtimin e sigurt të tumoreve të mushkërive dhe mëlçisë që lëvizin gjatë frymëmarrjes. Gjatë trajtimit, pacientëve nuk u duhet të mbajnë frymën ose të marrin frymë sipas një rregulli të caktuar. Sistemi krahason tomografinë e kompjuterizuar dhe imazhet e rezonancës magnetike të marra para trajtimit me imazhet e menjëhershme të marra gjatë trajtimit. Koordinatat e tumorit që përftohen vlerësohen në çast me ndihmën e kompjuterit, dhe rregullohet doza e rrezatimit. Prandaj trajtimi nuk ndikohet nga lëvizjet e vogla të pacientit. Doza e dhënë e rrezatimit është e kufizuar ndaj tumorit dhe dëmtimi i indit të shëndetshëm përreth reduktohet në minimum. Gradualisht, me kalimin e kohës vijnë efektet e procedurës dhe tumori tkurret.
CyberKnife është në gjendje të ofrojë Radio Kirurgjinë Stereotaktike (SRS) dhe Radioterapinë Ablative Stereotaktike (SABR). SRS është një alternativë ndaj ndërhyrjes kirurgjikale që nuk kërkon të kryhet ndonjë prerje. Në vend të kësaj, përdoret rrezatimi i fokusuar për të trajtuar indet kancerogjene me saktësi kirurgjikale. Qëllimi është shkatërrimi i plotë i tumorit në një seancë të vetme përmes dozave të larta të rrezatimit. Kur ky trajtim kryhet në më shumë se një seancë (zakonisht 3-5 seanca), quhet Radioterapi Stereotaktike (SRT). Ndryshe nga pajisja Gamma Knife, e cila është krijuar për të kryer radio kirurgji kryesisht për lezionet e trurit, CyberKnife mund të ofrojë trajtim në të gjithë trupin. Kjo zakonisht quhet Radioterapi Stereotaktike e Trupit (SBRT) ose Radioterapi Ablative Stereotaktike (SABR). SABR aplikon doza të larta me saktësi ekstreme në zonat e synuara, duke shkaktuar dëme minimale në indet e shëndetshme përreth.
CyberKnife mund të përdoret për trajtimin e kancerit kudo në trup në rastet kur këshillohet radioterapia. Preferohet për trajtimin e tumoreve malinje dhe beninje, metastazave, keq formimeve arterio-venoze dhe disa sëmundjeve funksionale. Megjithatë, pacientët duhet të konsultohen me mjekët e tyre për të përcaktuar nëse ky trajtim është i duhuri për ta.
Sëmundjet që CyberKnife mund të trajtojë përfshijnë:
Metoda mund të përdoret në mënyrë të sigurt te pacientët që kanë marrë radioterapi më parë, por sëmundja është përsëritur në të njëjtën zonë.
Trajtimi me CyberKnife mund të përdoret si një opsion i parë për trajtimin e kancerit të prostatës në fazë të hershme, me rrezik të ulët ose me rrezik të mesëm. Në pacientët me kancer të avancuar të prostatës, kjo metodë mund të ndihmojë në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Kirurgjia dhe radioterapia janë opsione të zakonshme në trajtimin e kancerit të prostatës. CyberKnife është po aq efektiv në krahasim me kirurgjinë dhe më i saktë se radioterapia konvencionale. Sipas të dhënave klinike, trajtimi i prostatës SBRT ofron norma të shkëlqyera të mbijetesës pa sëmundje për pesë vjet pas trajtimit. Përveç kësaj, është jo-invaziv, pa dhimbje dhe i përshtatshëm për pacientët. Trajtimi CyberKnife për kancerin e prostatës zakonisht përfundon në 4-5 seanca për 1-2 javë, ndërsa radioterapia tradicionale zgjat 8-10 javë.
Për shkak të veçorive të tij specifike, CyberKnife zakonisht shkakton efekte anësore më të pakta dhe më të lehta në krahasim me radioterapinë standarde. Në shumicën e pacientëve ajo shkakton pak ose aspak efekte anësore. Megjithatë, ashtu si çdo trajtim me rrezatim, CyberKnife mund të sjellë disa rreziqe të mundshme. Këto mund të ndryshojnë nga pacienti në pacient, në varësi të llojit të tumorit, vendndodhjes, dozës së trajtimit dhe gjendjes së përgjithshme shëndetësore. Lodhja, acarimi i lëkurës, të përziera dhe të vjella mund të vërehen përkohësisht në disa raste. Disa pacientë gjithashtu mund të hasin probleme specifike në varësi të zonës së trajtuar. Efektet anësore të mundshme dhe mënyra se si ato mund të menaxhohen duhet të diskutohen në detaje me mjekun tuaj përpara procedurës.