Kanceri i gjirit është lloji më i zakonshëm i kancerit tek gratë. Acıbadem ofron kujdes mjekësor me cilësi të lartë për këtë diagnozë dhe trajtim me rezultate të shkëlqyera.
Së bashku kundër kancerit të gjirit ne ofrojmë partneritetin më të mirë duke filluar nga diagnostikimi i hershëm deri në fund të trajtimit tuaj. Me më shumë se 20 vjet përvojë, një ekip prej 50 profesionistësh të specializuar të kujdesit shëndetësor, me një teknologji të klasit botëror dhe një qasje multidisiplinare, ne jemi këtu për të mposhtur kancerin e gjirit.
Kanceri i gjirit ndodh kur qelizat jonormale fillojnë të rriten dhe të riprodhohen në mënyrë të pakontrolluar. Këto qeliza formojnë një masë tumorale që mund të jetë beninje (jo kanceroze) ose malinje. Tumoret beninje janë rritje jonormale që nuk përhapen jashtë gjirit dhe nuk janë të rrezikshëm për shëndetin. Kanceri i gjirit i referohet një tumori malinj që fillon në kanalet ose lobet e gjirit dhe ka potencialin të përhapet në pjesë të tjera të trupit (të krijojë metastaza).
Në fakt, shenjat e hershme të kancerit të gjirit janë më të lehta për tu ndjerë sesa për tu parë. Kryerja e kontrolleve të gjirit vetë nga gratë në mënyrë të rregullt i ndihmon ato të njihen me pamjen dhe ndjenjën normale të gjinjve të tyre dhe të vërejnë më shpejt çdo ndryshim. Kanceri i gjirit shpesh ndihet si një masë në gji. Edhe pse shumë lloje të kancerit të gjirit mund të shkaktojnë një masë, jo të gjithë e bëjnë këtë. Përveç kësaj, masat e gjirit janë shumë të zakonshme, dhe shumica e tyre nuk janë kancer. Kistet e gjirit, fibroadenomat ose adenoza, për shembull, janë gjendje beninje që mund të shkaktojnë masa. Tumoret malinje të gjirit ndihen të ngurtë në prekje. Nëse zbuloni një masë që është e re për ju, e cila duket e fortë dhe e palëvizshme, duhet të bëni një konsultim me mjekun.
Shkaqet e sakta të zhvillimit të kancerit të gjirit janë ende të paqarta. Rreziqet kryesore për të cilat jemi të vetëdijshëm janë thjesht të qenit grua dhe plakja. Dy të tretat e pacienteve me kancer të gjirit janë gra mbi 50 vjeç, dhe shumica e pjesës tjetër janë midis 39 dhe 49 vjeç. Mutacionet e trashëguara të gjeneve shkaktojnë deri në 10% të rasteve të kancerit të gjirit. Një mutacion i trashëguar i gjeneve shtypës të tumorit BRCA1 ose BRCA2 rrit ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të sëmundjes. Për më tepër, një grua nëna, motra ose vajza e së cilës ka pasur kancer të gjirit ka dy ose tre herë më shumë gjasa ta ketë gjithashtu atë. Në ditët e sotme, njerëzit me histori familjare mund të kryejnë teste gjenetike dhe vlerësim të rrezikut për të marrë vendime të informuara mbi shëndetin e tyre.
Së bashku me faktorët e rrezikut që ne nuk mund t’i kontrollojmë, ka disa zgjedhje në mënyrën e jetesës që mund t’i ndryshojmë për të përmirësuar shanset tona. Shtimi në peshë, për shembull, rrit rrezikun e kancerit të gjirit, veçanërisht tek gratë në menopauzë. Gratë që përdorin pilula të kontrollit të lindjes, terapi zëvendësuese të hormoneve, që nuk kanë fëmijë ose që lindin fëmijën e parë pas moshës 30 vjeçare gjithashtu mund të kenë një rrezik më të lartë. Një mënyrë jetese jo aktive dhe konsumimi i alkoolit gjithashtu rrisin rrezikun. Në të njëjtën kohë, stërvitja e rregullt dhe aktivitetet fizike ulin rrezikun e kancerit të gjirit.
Sëmundja shfaqet më shpesh te gratë, por kanceri i gjirit te burrat është gjithashtu i mundur. Burrat përbëjnë më pak se një për qind të të gjitha rasteve të zbuluara. Kanceri i gjirit te burrat, ashtu si te gratë, formohet në indet e gjirit. Historia familjare, disa çrregullime gjenetike, ekspozimi ndaj estrogjenit ose rrezatimit, si dhe obeziteti dhe konsumimi i alkoolit, mund të kontribuojnë në një rrezik më të lartë të zhvillimit të kancerit të gjirit te një burrë. Është e rëndësishme të dini se edhe burrat mund të preken nga kanceri i gjirit. Për shkak të mungesës së vetëdijes, burrat shpesh injorojnë shenjat e hershme të sëmundjes dhe konsultohen me një mjek në fazat e mëvonshme. Nëse zbulohet herët, kanceri i gjirit të burrat ka prognozë dhe norma të ngjashme mbijetese si te gratë.
Shumica e grave nuk paraqesin ndonjë shenjë fizike në kohën e diagnostikimit me kancer të gjirit. Ndërkohë që tumori është ende i vogël, zakonisht nuk shfaq shenja alarmante. Kjo është arsyeja pse kontrolli i rregullt është vendimtar për zbulimin e hershëm.
Së bashku kundër kancerit të gjirit ne ofrojmë partneritetin më të mirë duke filluar nga diagnostikimi i hershëm deri në fund të trajtimit tuaj. Me më shumë se 20 vjet përvojë, një ekip prej 50 profesionistësh të specializuar të kujdesit shëndetësor, me një teknologji të klasit botëror dhe një qasje multidisiplinare, ne jemi këtu për të mposhtur kancerin e gjirit.
Kanceri i gjirit zakonisht shoqërohet me një masë kudo në gji ose nën sqetull. Sidoqoftë, ka shumë shenja të tjera paralajmëruese, duke përfshirë:
Simptomat e kancerit të gjirit mund të ndryshojnë nga personi në person ose në varësi të llojit specifik.
Kanceri i gjirit nuk është i njëjtë. Një tumor mund të fillojë nga pjesë të ndryshme të gjirit. Në gati 85% të të gjitha rasteve, tumori ka origjinën në epitelin e kanaleve që bartin qumështin në thith (karcinoma duktale), dhe deri në 15% të rasteve fillojnë nga indet e gjëndrave të gjirit (karcinoma lobulare). Në raste të rralla, ai fillon në indet e tjera të gjirit, por këto janë zakonisht lloje të sarkomave dhe limfomave dhe nuk konsiderohen si kancer i gjirit.
Fillimisht, rritja e kancerit kufizohet në kanalin ose lobulin, i cili quhet ‘in situ’ ose kancer jo -invaziv i gjirit. Me kalimin e kohës, kanceri in situ mund të përparojë dhe të infiltrohet tek indet përreth, duke u shndërruar në kancer invaziv të gjirit. Karcinoma duktale invazive (IDC) është forma më e zakonshme, që përbën rreth 80% të gjitha rasteve, e ndjekur nga karcinoma lobulare invazive (ILC) me 10-15%. Ekzistojnë gjithashtu disa lloje të rralla të kancerit të gjirit, siç është sëmundja Paget që prek thithin; Tumoret Phyllodes që zhvillohen në indet lidhëse të gjirit; kanceri inflamator i gjirit, i cili është një formë shumë agresive, etj.
Për më tepër, tumoret e gjirit mund të specifikohen sipas statusit të tyre të receptorëve të hormoneve. Rreth dy të tretat e tyre kanë nevojë për hormonet femërore estrogjen ose progesteron në mënyrë që të rriten dhe të riprodhohen. Këto qeliza kanceroze kanë receptorë që i lejojnë të kapin dhe përdorin hormonet. Ato klasifikohen respektivisht si ER-pozitive ose PR-pozitive. Në këto raste, terapia bllokuese e hormoneve mund të ndalojë rritjen e tumorit. Një tumor që është hormon-receptor negativ (HR-negativ) nuk do të ndikohej nga terapitë hormonale. Kanceri i gjirit gjithashtu mund të jetë HER2-pozitiv ose negativ. Kjo i referohet niveleve të një proteine të quajtur receptori i faktorit të rritjes epidermale të njeriut 2. Nivelet e larta të saj nxisin rritjen e kancerit, i cili quhet kancer i gjirit HER2-pozitiv. Kur asnjë nga tre receptorët nuk zbulohet, konsiderohet si kancer i gjirit trefish-negativ. Meqenëse secili lloj kërkon një trajtim të ndryshëm, saktësia e testimit është thelbësore për trajtimin efektiv. Diagnostikimi i llojit të saktë të kancerit të gjirit dhe sasia e përhapjes se tij brenda trupit përcakton strategjinë e trajtimit dhe ndihmon mjekët të ofrojnë kujdesin më të mirë të mundshëm.
Njohuritë e fituara dhe pajisjet e përparuara mundësojnë zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, ndonjëherë edhe vite më përpara se të shfaqë ndonjë simptomë të dukshme. Procesi diagnostikues zakonisht fillon me testimet imazherike. Mamografia që siguron një imazh me rreze X të gjirit dhe ekografia që përdor valët zanore me frekuencë të lartë njihen prej kohësh si mjetet kryesore për diagnostikimin e kancerit të gjirit. Në ditët e sotme, qendrat e specializuara të gjirit kanë në dispozicion teknika të ndryshme mamografie. Mamografia digjitale lejon që imazhet e gjirit të kthehen në format digjital në ekranet e kompjuterit. Mamografia 3D me tomosintezë siguron imazhe digjitale tre-dimensionale me doza të ulëta rrezatimi. Ekografia 4D e gjirit ose ekografia e automatizuar ndihmon për të parë mirë edhe në indet e dendura të gjirit.
Nëse të dhëna të dyshimta zbulohen me anë të imazhit, një pjesë e indeve të dyshimta duhet të shqyrtohen me mikroskop nga një anatomo-patolog. Kjo quhet biopsi. Biopsitë mund të merren në mënyra të ndryshme, zakonisht duke përdorur një pajisje gjilpërë dhe e udhëzuar prej imazhit.
Në një klinikë me një ndalesë, pacientet kanë mundësinë të kryejnë të gjitha testet e kërkuara gjatë të njëjtës vizitë. Në Acıbadem, mjekët tanë me përvojë kanë në dispozicion pajisjet më të avancuara për diagnostikimin e kancerit të gjirit, duke përfshirë disa pajisje të cilat disponohen vetëm në një numër të kufizuar klinikash në mbarë botën.
Fazat e kancerit të gjirit përshkruajnë madhësinë e tij dhe përhapjen e tyre në të gjithë trupin. Zakonisht klasifikohet në një shkallë nga 0 në IV, ku numrat më të mëdhenj tregojnë një kancer më invaziv. Faza 0 quhet gjithashtu kancer jo -invaziv i gjirit ose parakancer. Do të thotë që ka qeliza jonormale, por ato janë të kufizuara në kanalet ose gjëndrat e qumështit dhe nuk kanë pushtuar indet përreth (karcinoma in situ). Faza IV kanceri i gjirit, nga ana tjetër, është një gjendje e avancuar kur tumori është përhapur në pjesë të largëta të trupit, ndoshta në organe ose kocka.
Së bashku me fazën, vlerësimi i kancerit të gjirit jep informacion shtesë se sa ndryshojnë qelizat e kancerit nga ato normale dhe sa ngadalë ose shpejt pritet të rritet tumori. Kanceri i shkallës së ulët do të thotë që qelizat jonormale duken të ngjashme me ato normale, dhe ka shumë të ngjarë që ato të rriten ngadalë; ndërkohe që kanceri i shkallës së lartë është krejt e kundërta.
Për pacientet me diagnozë të re, stadifikimi dhe gradimi i kancerit të gjirit, së bashku me statusin e receptorëve hormonale dhe HER2, janë thelbësore për të ndihmuar ekipin mjekësor të vendosë mbi opsionet më të mira të trajtimit.
Në ditët e sotme, trajtimi i kancerit të gjirit është shumë efektiv dhe po përmirësohet gjatë gjithë kohës. Procesi i trajtimit mund të përfshijë kirurgjinë, radioterapinë, kimioterapinë, terapinë hormonale, terapinë e synuar biologjike ose imunoterapinë.
Qendra e Kancerit të Gjirit Acıbadem dhe ekipi i saj i ekspertëve ofrojnë një gamë të plotë të trajtimeve të kancerit të gjirit nën të njëjtën çati, duke përfshirë disa opsione të fjalës së fundit që disponohen vetëm në një pjesë të vogël të klinikave në të gjithë botën:
Shkalla e mbijetesës përfaqëson përqindjen e pacienteve me kancer të gjirit që mbijetojnë për një periudhë të caktuar pasi janë diagnostikuar. Zakonisht, konsiderohet mbijetesa 5-vjeçare, duke marrë parasysh që përsëritja është më pak e mundur pas kësaj kohe.
Zhvillimet mjekësore në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit kanë ndikuar në rritjen e normave të mbijetesës. Në ditët e sotme, trajtimi i kancerit të gjirit mund të jetë shumë efektiv, duke arritur shanse mbijetese prej 90% ose më të larta, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sidoqoftë, normat e mbijetesës varen nga lloji i kancerit, faza, karakteristikat specifike dhe ekspertiza e ekipit mjekësor që kryen trajtimin.
Rreziku që një grua gjatë jetës të zhvillojë kancer të gjirit është rreth 12%. Sipas të dhënave të OBSH -së, gjysma e rasteve të kancerit të gjirit zhvillohen tek gratë që nuk kanë faktorë rreziku të identifikueshëm përveç gjinisë dhe moshës (mbi 40 vjeç). Trajtimi i kancerit të gjirit mund të jetë shumë efektiv sot, duke arritur nivele mbijetese prej 90% ose më të larta.
Shumëllojshmëria në rritje e opsioneve të trajtimit kërkon një qasje të integruar, me një ekip specialistësh me përvojë në degë të ndryshme, duke marrë parasysh nevojat specifike të çdo pacienti.
Qendra e Kancerit të Gjirit Acıbadem ka ofruar shërbim për 30 vjet për pacientet nga e gjithë bota. Për të gjitha pacientet është përshtatur një qasje multidisiplinare, me ekspertë në kirurgji të përgjithshme, onkologji, radioterapi, kirurgji kozmetike dhe plastike, radiologji, patologji dhe gjenetikë, të specializuar veçanërisht në trajtimin e kancerit të gjirit. Ne jemi shumë të suksesshëm në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit të gjirit, falë qasjes sonë multidisiplinare, infrastrukturës së teknologjisë së lartë dhe ekipeve të specialistëve të klasit botëror.
Ne jemi krenarë të mirëpresim institutin e parë dhe të vetëm të arsimit të lartë të certifikuar nga bordi i kancerit të gjirit në Turqi, i quajtur Instituti për Kërkime Senologjike Acıbadem(Acıbadem Senology Research Institute). Kjo është një qendër e shkencës që kontribuon në njohuritë globale rreth kancerit të gjirit përmes kërkimit dhe njohurive të akumuluara.